Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 20 qershorit, në fshatin Krastë të Fushë-Krujës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në pronësi të Mondi Vogës, ish-shofer i ish- prokurorit Arjan Ndoja.
Sipas Policisë, rreth orës 01:10, vetë Voga ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë për sulmin me armë ndaj biznesit të tij, i cili funksionon si lokal dhe hotel.
Në momentin e ngjarjes, ai ndodhej në ambientet e objektit së bashku me familjen.
Autorët, të cilët ende nuk janë identifikuar, kanë qëlluar me 15 plumba kallashnikovi në drejtim të godinës, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në ambientet e jashtme të lokalit.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes.
Mondi Voga është një emër i njohur për autoritetet, pasi rezulton me precedentë penalë. Ai ka qenë arrestuar në janar 2020 për armëmbajtje pa leje, ndërsa udhëtonte me një makinë të blinduar dhe me fenelina policie. Gjatë kontrollit, iu gjet një armë tip TT në çantë.
Në të kaluarën, Voga ka mbajtur edhe poste publike, si drejtor i ALUIZNI-t në Fushë-Krujë dhe më pas inspektor mjedisi në Durrës. Emri i tij u përmend edhe në një incident të vitit 2018, kur u raportua për dhunë ndaj avokatit Ilia Ilia.
Po ashtu, në vitin 2017, biznesi i tij ishte objekt i një tjetër sulmi, kur iu vendos eksploziv në lokal.
Voga ka lidhje të hershme me ish-prokurorin Arjan Ndoja, i njohur për përfshirjen në dosje të bujshme dhe atentatin ndaj tij në vitin 2019.
Ndoja, i cili u shkarkua më pas nga sistemi i drejtësisë për lidhje me krimin dhe pasuri të pajustifikuar, u rikthye në skenën publike si deputet i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Familja e Vogës është gjithashtu e goditur nga ngjarje kriminale në të shkuarën. Vëllai i tij, efektiv policie në Tiranë, ka qenë objekt i një sulmi me arme zjarri dhe i lënies së dy granatave pranë makinës.