Tre shtetas shqiptarë të shumëkërkuar, të përfshirë në disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit, janë ekstraduar nga Dubai drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Ervis Dakën, Maksim Koçin dhe Ado Xhikën, të cilët ishin në kërkim me urdhër të Gjykatës së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, për akte të rënda penale të kryera si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Talo Çela.
• Ervis Daka, 38 vjeç, është nën akuzë për tentativë vrasjeje me paramendim, sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit. Ai dyshohet se ka vepruar si pjesë aktive e grupit kriminal të strukturuar.
• Maksim Koçi, 39 vjeç, përballet me akuza për vrasje me paramendim, kryer për hakmarrje dhe interes, sigurim të mjeteve për vrasje, përkrahje të autorëve të krimeve dhe armëmbajtje pa leje. Edhe ai konsiderohet pjesë e organizatës kriminale të strukturuar.
• Ado Xhika, 40 vjeç, akuzohet për përkrahje të autorëve të krimeve, duke vepruar në kuadër të të njëjtit grup të strukturuar.
Të tre personave u ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në burg” nga GJKKO gjatë vitit 2024.
Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit të koduar “The Wanted” dhe u kordinua ngushtësisht mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të sigurisë në Dubai.