Fusha e mbetjeve në Vlorë është përfshirë sërish nga flakët, për herë të katërt brenda muajit qershor, duke e kthyer zonën përreth në një mjedis të padurueshëm për banorët.
Retë e dendura të tymit kanë mbuluar një pjesë të qytetit dhe po ndikojnë rëndë në cilësinë e ajrit, ndërkohë që autoritetet nuk japin asnjë përgjigje për shkaqet apo përgjegjësit.
Zjarrfikësit ndodhen në terren, por ky është një skenar i përsëritur që pasqyron qartë një problem të thellë: djegia e mbetjeve është kthyer në një normalitet të heshtur, ku institucionet lokale dhe qendrore luajnë rolin e spektatorit.
Bashkia e Vlorës, e cila ka përgjegjësi ligjore për menaxhimin e mbetjeve, vijon të mos ndërmarrë asnjë masë efektive për të shmangur përsëritjen e këtyre ngjarjeve.
Ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve është i qartë: çdo zjarr apo ndotje që vjen nga fushat e mbetjeve përbën jo vetëm shkelje administrative, por edhe vepër penale nëse vë në rrezik shëndetin publik. Pavarësisht kësaj, nuk ka as hetim penal, as masë disiplinore ndaj askujt.
E njëjta panoramë përsëritet edhe në Shijak, ku banorët e Hardhishtës po përballen me djegie të paligjshme të mbetjeve dhe me funksionimin e një landfilli ilegal në heshtje të plotë institucionale.
Ndërsa në Durrës, 816 tonë mbetje toksike të ardhura nga Tajlanda janë ende të paidentifikuara dhe të pamenaxhuara, një skandal me përmasa ndërkombëtare që nuk ka prodhuar ende asnjë përgjegjësi.
Në vend që institucionet të reagojnë me ndëshkime, transparencë dhe ndërhyrje reale, qytetet shqiptare po e përjetojnë çdo verë si një cikël zjarresh, tymi dhe mashtrimi.
Nëse nuk ka përgjegjësi ligjore për këto krime mjedisore, atëherë fjala “qeverisje” humb kuptimin dhe qytetarët mbeten viktimat e një shteti që i ka braktisur.