Tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të rrezikshme përshkallëzimi, me shkëmbime intensive sulmesh ajrore dhe raketore që kanë goditur objektiva strategjikë dhe zona të populluara.
Gjatë natës, Irani ka lëshuar një tjetër valë raketash drejt Izraelit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe viktima në disa qytete.
Një ndër goditjet më të rënda u shënua në Be’er Sheva, ku një nga raketat balistike goditi drejtpërdrejt Qendrën Mjekësore Soroka, një nga spitalet më të mëdha dhe të rëndësishme në jug të Izraelit, vetëm 35 kilometra larg Rripit të Gazës.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë për shembje të pjesës së çatisë dhe dëme të mëdha në disa reparte të spitalit. Magen David Adom, shërbimi emergjent izraelit, konfirmoi se të paktën 30 persona janë plagosur si pasojë e sulmit.
Presidenti izraelit Isaac Herzog reagoi ashpër duke akuzuar Iranin se kishte shënjestruar civilët. Ai përmendi imazhe prekëse të një foshnjeje në terapi intensive, një nëne pranë saj dhe mjekëve që vraponin mes shtretërve në momentin e sulmit. “Kjo është fytyra e vërtetë e këtij agresioni,” tha Herzog.
Në të kundërt, autoritetet iraniane mohojnë se spitali ishte objektiv i drejtpërdrejtë. Agjencia shtetërore IRNA deklaroi se shënjestra kryesore ishte një bazë ushtarake izraelite e vendosur pranë parkut teknologjik Gav-Yam, aty ku ndodhet një shtab i inteligjencës ushtarake dhe një kampus i degës C4i të IDF-së. Sipas tyre, spitali është dëmtuar vetëm nga vala e shpërthimit.
Sipas një raporti të BBC-së, të paktën 65 persona po marrin trajtim në të gjithë vendin si pasojë e sulmeve të fundit iraniane.
Ushtria izraelite ka sinjalizuar se operacionet e saj do të vazhdojnë për të paktën dy javë, ndërsa Irani ka aktivizuar arsenalin e tij raketor dhe dronëve, duke paralajmëruar ndëshkime të ashpra.
Një hetim i gazetës Haaretz zbulon se përgatitjet për operacionin izraelit “Rising Lion” kishin nisur që në nëntor, kur 120 oficerë hartuan një listë objektivash strategjikë.
Deri tani, Izraeli pretendon të ketë shkatërruar mbi 1,100 objektiva në Iran, përfshirë bateri raketash, struktura ushtarake, dhe laboratorë kërkimi bërthamor. Mes viktimave raportohen edhe 100 oficerë të lartë dhe 14 shkencëtarë iranianë.
Megjithëse janë shkaktuar dëme serioze në impiantet bërthamore të Natanzit dhe Isfahanit, impianti në Fordow mbetet aktiv.
Kjo ka ngritur shqetësime mes ekspertëve, të cilët theksojnë se vetëm bombat amerikane të llojit GBU-57, të lëshuara nga bombardues B-2, mund të çojnë në neutralizimin e plotë të këtij impianti.
Nga ana tjetër, Irani ka lëshuar rreth 400 raketa dhe mbi 1,000 dronë kamikazë drejt Izraelit, duke shënjestruar objektiva qendrore dhe ushtarake si selia e inteligjencës dhe rafineria e Haifës.
Pavarësisht mbrojtjes ajrore, 35 raketa kanë arritur të depërtojnë dhe të shkaktojnë dëme. Një dron Hermes 900, me vlerë 5 milionë dollarë, është rrëzuar nga forcat iraniane.
Shqetësime të mëdha po ngrihen për rezervat e sistemit mbrojtës izraelit.Mediat amerikane raportojnë se raketat interceptuese “Arrow” mund të mbarojnë brenda 10 ditësh në mungesë të furnizimeve të reja nga SHBA. Trafiku i shtuar i avionëve ushtarakë amerikanë në drejtim të Izraelit sugjeron se ndihma është në rrugë e sipër.
Me dëmet që rriten, viktimat që shtohen dhe retorikën që ashpërsohet nga të dyja palët, rreziku për një përshkallëzim më të gjerë rajonal mbetet i afërt.