Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sërish sot, për herë të 34-të me radhë, në përpjekje për të konstituuar përbërjen e re parlamentare pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin shkurt.
Procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjes mes partive politike për formimin e Komisionit Zgjedhor, i cili do të mundësonte votimin e fshehtë për kryetaren e Kuvendit.
Në seancën e fundit, edhe pse kryesuesi Avni Dehari u bëri apel partive që të propozojnë anëtarët e komisionit, propozimi dështoi sërish.
Kjo ka bërë që vendi të mbetet pa një kryeparlamentar dhe Kuvendi pa një strukturë funksionale.
Kandidatja e vetme për postin e kryetares së Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje. Por mungesa e mbështetjes nga partitë e tjera ka bërë që emri i saj të mos mund të votohet, pasi pa miratimin e Komisionit nuk mund të zhvillohet votimi i fshehtë.
Seancat janë planifikuar të mbahen çdo 48 orë, por deri më tani asnjë nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret.
Subjektet opozitare i kanë bërë thirrje Vetëvendosjes që të tërheqë kandidaturën e Haxhiut dhe të propozojë një figurë që mund të gjejë mbështetje më të gjerë në Kuvend.
Ngërçi politik po zvarrit formimin e institucioneve të reja, ndërsa qytetarët mbeten në pritje të një zgjidhjeje që ende nuk po duket në horizont.