Pesë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në Vlorë, përfshirë ish-drejtorin Ardian Musta dhe katër vartësit e tij – Adiseldo Rrapaj, Mimoza Rushani, Krupskaja Gjika dhe Ariton Kasaj, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Vlorës për manipulim të dokumentacionit zyrtar me qëllim favorizimin e paligjshëm të një biznesmeni në Dhërmi.
Ata akuzohen për veprën penale të “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për të cilën prokuroria ka kërkuar nga 2 muaj burgim për secilin.
Sipas hetimeve, zyrtarët kanë ndërhyrë në mënyrë të qëllimshme për të zhdukur një dosje aplikimi të paraqitur nga qytetari Ilir Koka, që kishte kërkuar legalizimin e disa objekteve në fshatin Dhërmi të Himarës.
Në vend të kësaj dosjeje, dhe me të njëjtin numër aplikimi, është futur një tjetër dokumentacion në emër të Helidon Gjikokës, i cili pretendonte se ishte ndërtuesi i 12 objekteve në kompleksin “Ambel Beach”.
Manipulimi, sipas prokurorit Edmond Forfi, ishte i strukturuar dhe i qëllimshëm për të përfituar në mënyrë të paligjshme legalizimin e objekteve në favor të Gjikokës. Pretenca u lexua në seancën gjyqësore të mbajtur përpara gjyqtares Arbana Osmanaj, ku u kërkua deklarimi fajtor i të pandehurve.
Por ky nuk është rasti i vetëm ku ky grup ish-zyrtarësh përmendet. Ata rezultojnë të kenë qenë më parë nën hetim për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash në funksion të tjetërsimit të pronave publike në zona me interes të lartë turistik, si Vlora, Dhërmiu dhe Himara.
Në një tjetër episod të dokumentuar nga prokuroria, të njëjtët persona akuzohen për mbështetje aktive ndaj Helidon Gjikokës, duke i mundësuar përmes mashtrimit përfitimin e një sipërfaqeje prej 1430 m² në zonën “Perivollo” të Dhërmiut.
Në seancën e ardhshme pritet të dëgjohen konkluzionet e mbrojtjes së të pandehurve, përpara se gjykata të dalë me vendimin përfundimtar në lidhje me këtë çështje që prek integritetin e procesit të legalizimeve në një nga zonat më të lakmuara turistike të vendit.