I penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka vijuar dëshminë e tij këtë të martë në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, duke zbuluar detaje të reja mbi vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
Gjatë rrëfimit të tij, Alibej ka treguar mënyrën se si u organizua dhe u ekzekutua plani për eliminimin e Çelës, duke përshkruar me hollësi fazat e përgatitjes dhe realizimit të atentatit.
Dëshmia e Alibejt:
“Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës, njeriu më i afërt i tij. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin që armën e krimit ta vendosnim te shtëpia e Bujar Çelës. E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.”
(Hoxha reagon nga kafazi: “Ku e di ti ku isha unë, o Tomaso Busheta?”)
Alibej vazhdon:
“Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës donim të gjenim diçka që Bujari e kishte prekur me dorë – një qese, apo diçka tjetër. Doja që në atë objekt të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim te shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit.
Nuk e arritëm dot këtë. Diskutuam që, duke qenë njeri i afërt i Talos, dhe sepse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tasos, dhe kushëriri, që i referohem Henrik Hoxhajt. U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar.”
Pas vrasjes së Kapllanit, komunikova sërish me Nuredinin për Bujarin. Ishte një shënjestër e thjeshtë. Të nesërmen, çunat e Fushë-Krujës sollën një makinë “E-Class” për punë, për ekzekutim. Në fillim makina qëndroi te një lokal, te kryqëzimi i Cërrikut. Ndërsa çunat e Fushë-Krujës, Enver Diva dhe Besmir Xhixha, erdhën me një “Renault” të bardhë.
“Në lidhje me lokalin ku u ekzekutua, kishim informacion që më parë. Pasi u caktua mëngjesi për ekzekutim te kafja, fillimisht e pritën te shtëpia. Një komshi i afërt i pa çunat me maska dhe për këtë arsye u larguan. Te kafja, në fillim kanë qëlluar çunat e Fushë-Krujës, më pas ka qëlluar edhe Nuredini.
Pasi ndodhi ekzekutimi, Nuredini më njoftoi: ‘Mbaroi Bujari’. Makina ‘Renault’ u dogj 8 kilometra më larg. Ndërsa çunat e Fushë-Krujës janë kthyer në Fushë-Krujë. Unë ndërkohë kisha edhe radiot e policisë. Më telefonoi një oficer, Agim Lleshi, me të cilin kisha kontakt. Më tha se po shkonin në vendngjarje, sepse ishte vrarë vëllai i Talos.”
Alibej shton:
“Kam dërguar 60 apo 70 mijë euro në një karburant në Vorë. Nuk mbaj mend nëse aty i morën çunat e Fushë-Krujës apo Nuredini. Të nesërmen, e pashë nga kamerat që po vinte një autokolonë policie. E dija që ishin për arrestim. Nuk kam bërë rezistencë. Kam plotësuar formularët. Më arrestuan dhe që nga ajo ditë jam këtu.”
Reagimi i Xhuliano Hoxhës në sallë:
“Unë nuk kam asnjë lidhje me vrasjen e Bujar Çelës. Kam qenë në burg kur ndodhi vrasja. Këtu nuk po bëhet gjyq!”