Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që parashikon uljen e tarifave për makinat e importuara nga Mbretëria e Bashkuar, duke vënë në zbatim një pjesë kyçe të marrëveshjes tarifore të arritur muajin e kaluar mes dy vendeve.
Njoftimi u bë publik ndërsa Trump ndodhej në Kanada për samitin e G7, ku kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi vendimin si një “ditë të rëndësishme për partneritetin ekonomik SHBA–Britani”.
Marrëveshja vjen pas negociatash disa-javore dhe synon të zbusë ndikimin e tarifave të vendosura më parë nga administrata Trump ndaj eksporteve britanike. Qeveria britanike ka theksuar se ky hap është jetik për mbrojtjen e bizneseve vendase.
Megjithatë, marrëveshja nuk i eliminon plotësisht tarifat. Shumica e mallrave britanike, përfshirë automjetet, do të vazhdojnë të përballen me një tarifë prej 10%.
Po ashtu, nuk është përfshirë asnjë ndryshim për tarifat ekzistuese mbi çelikun britanik, një pikë e ndjeshme për sektorin industrial në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky është pakti i parë tregtar që administrata Trump shpall pas valës së re të tarifave të vendosura ndaj një sërë produktesh të huaja që nga fillimi i këtij viti.
Urdhri u nënshkrua pak para largimit të parakohshëm të Trump nga samiti i G7, për shkak të zhvillimeve të tensionuara në Lindjen e Mesme.