Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër ndaj deputetëve që bojkotuan procesin e votimit për konstituimin e Kuvendit, duke i cilësuar veprimet e tyre si të papërgjegjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
Në një deklaratë për media, Kurti u referua qartë pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014, ku theksohet se çdo deputet është i detyruar të marrë pjesë në votim , qoftë pro, kundër apo nëpërmjet abstenimit.
“Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e partisë që ka fituar zgjedhjet, por një detyrim kushtetues i secilit deputet,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se pa konstituimin e Kuvendit nuk mund të ecet përpara me krijimin e institucioneve të reja, ndërsa deri atëherë, vendi do të vazhdojë të qeveriset nga ekzekutivi në detyrë.
Duke i bërë thirrje gjithë spektrit parlamentar që të mos pengojë këtë proces, Kurti rikujtoi se Kushtetuta parashikon edhe mundësinë e votimit të fshehtë, një mekanizëm që sipas tij mund të ndihmojë në kapërcimin e bllokadës.
“E vetmja mënyrë për të respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është që të marrim pjesë në votim. Pa pjesëmarrje, nuk ka respektim,” deklaroi ai.
Ky reagim i Kurtit vjen në një klimë të tensionuar politike, ku vonesat në konstituimin e Kuvendit kanë rritur pasigurinë dhe kanë nxitur debate të ashpra brenda klasës politike kosovare.