Një ngjarje e rëndë është regjistruar në bregdetin e Durrësit, ku një turist belg ka mbetur në gjendje të rëndë për jetën pasi ra nga një Jet Ski që e drejtonte në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”.
Si pasojë e incidentit, policia ka arrestuar një 51-vjeçar shqiptar, i identifikuar si S. Xh., banues në Tiranë.
Sipas hetimeve paraprake, ai i kishte dhënë me qira mjetin lundrues turistit pa siguruar masat e duhura të sigurisë dhe pa u siguruar që drejtuesi të ishte i pajisur me lejen përkatëse për përdorimin e këtij tipi mjeti.
Policia sqaron se shtetasi S. Xh., gjatë procedurave hetimore, ka dhënë informacione të rreme duke penguar zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë, turisti belg H. K. ndodhet ende në spital, nën kujdes intensiv mjekësor. Materialet për këtë rast janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila pritet të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë ligjore.