Prokuroria e Posaçme pritet të paraqesë sot në orën 12:30 përpara Gjykatës së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, raportin mbi ecurinë e hetimeve në lidhje me çështjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 në zyrën e Bashkisë së Tiranës, nën akuzat për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, pastrim parash dhe deklarim të rremë ose fshehje pasurie.
Në këtë hetim është përfshirë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Sipas të dhënave të mbledhura deri në këtë fazë, SPAK pretendon se Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë ngritur një skemë të organizuar, përmes së cilës janë përvetësuar fonde publike të Bashkisë Tiranë në interes të tyre personal.
Sipas prokurorisë, kjo është realizuar përmes një mekanizmi të strukturuar, që maskonte përfitimet përmes veprimeve të jashtëligjshme dhe të kamufluara.