Dhjetëra protesta, përleshje me policinë dhe ndërhyrje të Gardës Kombëtare shënuan një fundjavë të tensionuar në Kaliforni, teksa dhjetë persona u arrestuan në qendër të Los Angeles gjatë demonstratave kundër bastisjeve të fundit të imigracionit.
Shefi i policisë së qytetit, Jim McDonnell, konfirmoi se policia u përball me rezistencë të fortë dhe përdori gaz lotsjellës dhe flakadanë për të shpërndarë turmat.
Sipas raportimeve nga CNN, protestuesit u goditën dhe u shtynë gjatë arrestimeve, ndërsa autoritetet shpallën të gjithë zonën qendrore të qytetit si “tubim të paligjshëm”.
Fillimisht, urdhri kishte përfshirë vetëm një protestë përpara Qendrës së Paraburgimit Metropolitan, por më pas u zgjerua në të gjithë qendrën e qytetit.
Përballë përshkallëzimit të situatës, Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, kërkoi nga administrata Trump të tërhiqte vendimin për vendosjen e trupave federale, të cilën e cilësoi “të paligjshme”, duke kërkuar që rendi të mbahej nga autoritetet lokale.
Në terren janë angazhuar rreth 300 trupa të Gardës Kombëtare, ndërkohë që Komanda Veriore e SHBA-së njoftoi se 500 marinarë në detyrë aktive ndodhen në “status gatishmërie” dhe janë të përgatitur për t’u vendosur nga baza e Twentynine Palms.
Protestat shkaktuan gjithashtu ndërprerje të rënda të trafikut. Autostrada US 101, një arterie kryesore që lidh Los Angeles me pjesën tjetër të Kalifornisë, u mbyll për më shumë se një orë pasi qindra protestues bllokuan rrugën.
Më vonë, lëvizja në drejtim të jugut u ndërpre sërish për shkak të përplasjes së protestuesve me policinë dhe hedhjes së objekteve mbi mjetet e patrullës.
Situata mbetet e tensionuar dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende një afat për normalizimin e plotë të rendit.