Skip to content
Kryesore

Organizoi vrasjen e Elis Rroshkodolit, dosja për Voltan Xhanin i kalon SPAK-ut

· 1 min lexim

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë për Voltan Xhanin, duke lënë në fuqi “arrestin në burg”.

Vendimi u mor më 5 qershor 2025, pasi SPAK kërkoi rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Kërkesa e paraqitur më 3 qershor u bë pasi Gjykata e Shkodrës shpalli moskompetencën për të vijuar me çështjen.

Gjyqtari i GJKKO, Erjon Bani, vendosi që hetimi për Voltan Xhanin të kalojë në kompetencë të SPAK-ut.

Xhani u arrestua nga forcat RENEA në shtator të vitit 2024 gjatë operacionit “Enigma” në Gjirin e Lalzit, ku ndodhej duke drekuar me Xhevdet Plakun dhe persona të tjerë.

Ai dyshohet si organizatori i vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Posaçme konfirmon masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, është ngarkuar për ekzekutimin e tij.

Palët kanë të drejtë ankimi brenda pesë ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.