Në Gjykatën e Apelit të Brukselit vijon shqyrtimi i dosjes “Black Eagle”, ku 34 persona janë nën akuzë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që nga viti 2018 deri në 2020 ka trafikuar tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.
Ndër ta, disa të pandehur shqiptarë po përpiqen të shmangin ndjekjen penale, përmes pretendimeve për mungesë provash apo mbivendosje çështjesh.
Avokatët e një të dyshuari për pastrim parash ngritën pretendimin se ndjekja penale ndaj klientit të tyre është e papranueshme, pasi dosja sipas tyre është e fragmentuar dhe mbështetet në dokumente të përkthyera në mënyrë të pasaktë nga hetime në Spanjë e Itali.
I pandehuri akuzohet se ka vepruar si ndërmjetës mes drejtuesve të rrjetit dhe investitorëve në Shqipëri, për të ricikluar fitimet e trafikut të kokainës përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.
Ndërkohë, avokatja Lucrezia Notarrigo kërkoi që procedurat kundër klientit të saj, Gazmir V., të shpalleshin të pavlefshme.
Ajo argumentoi se klienti i saj është dënuar më parë në Antuerp për të njëjtat veprime, pjesëmarrje në shkarkimin e kokainës nga kontejnerët, dhe se gjykimi i ri në Bruksel bie ndesh me parimin “non bis in idem”, që ndalon ndjekjen penale të dyfishtë për të njëjtat fakte.
Ajo shtoi gjithashtu se pas arrestimit të parë, aktivitetet kriminale të Gazmir V. kishin pushuar dhe se analizat e të dhënave telefonike nuk e lidhin atë me ndonjë veprim në kuadër të çështjes “Black Eagle”.
Në seancën e së mërkurës, para trupit gjykues foli edhe Ilir L., i akuzuar për menaxhimin e garazheve të organizatës ku ruheshin automjete dhe kimikate për përpunimin e drogës.
Ai mohoi dijeninë për aktivitetin kriminal të kompanisë “Mondovi”, të lidhur me Indrit Kulajn, një nga figurat kyçe të rrjetit. Sipas tij, sapo u kontrolluan ambientet, ai njoftoi punëdhënësin dhe më pas u tërhoq nga kompania.
Prokuroria e ka cilësuar “Mondovi”-n një kompani fasadë për pastrimin e parave nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Në dosjen “Black Eagle” janë përfshirë disa emra të njohur të krimit shqiptar si Artur S., Alfredo dhe Arten Hamzai, Fjodor B., Aldo T., Marsel A., Erik I., Geron Z., Llazar S., Gazmir V., Ilir L., si dhe kosovari Bashkim O.
Disa prej tyre dyshohet se kanë pasur kontakte me zyrtarë shqiptarë për të blerë leje ndërtimi në Tiranë nëpërmjet mitove, mes të cilave edhe një orë luksoze me vlerë 400 mijë euro.