Skip to content
Kryesore

Samiti i BE në Tiranë, cilat janë rrugët që do të “paralizohen”

· 3 min lexim

Në datat 15 dhe 16 maj, Tirana do të mirëpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian, me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë Europa.

Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti dhe sigurinë maksimale të delegacioneve, Policia e Shtetit ka miratuar një plan të detajuar masash, që përfshin bllokime rrugësh, kufizime qarkullimi, ndalim parkimesh dhe devijime të lëvizjes në disa akse kyçe të kryeqytetit.

Perimetri i bllokuar në datën 16 maj (ora 06:00–18:00):

Do të jetë i paaksesueshëm nga këmbësorët dhe automjetet territori që përfshin:

• Kryqëzimi i bulevardit “Zhan d’Ark” deri tek rruga “Myslym Shyri”

• Rruga “Myslym Shyri” nga kryqëzimi me “Ibrahim Rugova” deri tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

• Rruga “Ibrahim Rugova” deri te rruga e Kavajës
• Rruga “Ded Gjo Luli”, “Urani Pano” dhe më tej deri në rrugën “George W. Bush”

• Bulevardi “Zogu i Parë” deri tek tuneli i ish-Cirkut

Devijimet e qarkullimit për shkak të këtij perimetri:

• Bulevardi “Zogu i Parë” devijohet te Ministria e Drejtësisë

• Rruga e Durrësit – te Ministria e Arsimit

• Rruga e Kavajës – te semafori i “Tymit”

• “Myslym Shyri” – te rruga “Sami Frashëri”

• Rruga e Dibrës dhe “Hoxha Tahsim” – tek kryqëzimi “Tefta Tashko”

Bllokime të plota të akseve rrugore për qarkullimin e delegacioneve:

• 14 maj, ora 22:00 – 23:00: Aeroporti “Nënë Tereza” – Thumanë – Kashar – Astir – Sauk – Rruga e Elbasanit – Hotel “Plaza”

• 15 maj, ora 08:00 – 24:00: I njëjti aks në intervale të ndryshme sipas lëvizjeve të delegacioneve

• 16 maj, ora 06:30 – 11:30: Rinas – qyteti i Tiranës deri në sheshin “Skënderbej”

• 16 maj, ora 13:00 – 18:00: Lëvizja në drejtim të kundërt për kthimin e delegacioneve

Rrugë alternative për qytetarët:

Për Rinas: rrugët dytësore “Tiranë–Qafë Kashar–Rinas”, Unaza Veriore përmes “Paskuqan–Kamëz–Domje–Laknas”

• Për Astirin: nënkalimi te “Pallati me shigjeta”, mbikalimi “Teodor Keko”

• Zona “Qyteti Studenti” dhe “Blloku i vilave gjermane”: përmes bulevardit “Bajram Curri”

• Për akses në Spitalin “Shefqet Ndroqi”: rruga “Pasho Hysa” – “Ali Demi”, sipas orareve të lejuara

Bllokime parkimesh më 15–16 maj:

• Në Tiranë: parkimet nëntokësore te Sheshi “Skënderbej”, Hotel “Plaza”, Hotel “Tirana”, “Torre Drini”, “Toptani”, “Green Tower”

• Në Rinas: 2 parkime në zonën VIP dhe 2 të tjera përballë

Mjetet që shkelin urdhrin do të largohen dhe ndëshkohen.

Kufizime pjesore në rrugë pranë hoteleve të delegacioneve (15–16 maj):

Do të preken lëvizjet përreth hoteleve: “MAK Albania”, “Marriot”, “Rogner”, “Plaza”, “Xheko Imperial”, “Radisson”, “Hilton”, “Ark Boutique”, “Diplomat 1”, “Holiday Inn” dhe aksit që lidh këto me Sheshin “Skënderbej”.

Kufizime shtesë më 15 maj, ora 19:00 – 24:00:

• Aksi “Rruga e Elbasanit – Rrethi i Saukut – Autostradë – Rrethrrotullimi TEG – Rezervat e Shtetit”

Ndalimi i pushimit dhe qëndrimit të mjeteve (15–16 maj, ora 06:00–20:00):

• Nga rrethi i “Ekonomikut” deri në rrugën “George W. Bush” dhe gjithë perimetrin e bllokuar

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet me mjete private në këto zona dhe të ndjekin udhëzimet për rrugë alternative.