Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të shtyjë për në 14 maj seancën lidhur me ankesën e SPAK mbi vendimin e gjyqtares Flora Hajredinaj, e cila kishte urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.
Ata dyshohet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit zyrtar, seanca u shty për shkak të mungesës së kallëzuesit, Fredi Beleri. Ndërkohë, avokatët e tij dorëzuan një shkresë ku kundërshtuan zhvillimin e seancës publike, duke pretenduar se çështja duhet të ishte trajtuar në Dhomë Këshillimi.
Në seancën e ardhshme pritet të vendoset nëse SPAK do të detyrohet të ndjekë urdhrin e gjykatës për të nisur hetimet, apo nëse ankimi i SPAK do të pranohet, duke rrëzuar vendimin e gjyqtares Hajredinaj.
SPAK ka argumentuar se ka kryer një sërë veprimesh hetimore lidhur me aktivitetin e Artan Gaçit, përfshirë rolin e tij të mundshëm në përdorimin e dokumenteve të dyshuara të falsifikuara për përfitimin e një trualli.