Një tjetër koncesion i rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë është kaluar në mënyrë të fshehtë, pa asnjë njoftim zyrtar dhe jashtë çdo procedure transparente. Bëhet fjalë për transferimin e shërbimit të hemodializës te spitali privat “Salus-Tirana”, pas të cilit qëndron biznesmeni Olti Peçini, i përfshirë më herët në skandalin e koncesionit “Rapiscan”.
“Salus” merr shërbimin jetik pa garë, pa lajmërim publik
Më 26 prill 2025, spitali privat “Salus-Tirana” njoftoi në mënyrë të njëanshme se kishte nisur të ofrojë shërbimin e hemodializës, të financuar nga buxheti i shtetit. Deri në këtë moment, as Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, as Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, nuk kishin publikuar asnjë informacion për një marrëveshje të tillë.
Një kontratë 100 milionë eurosh që s’mbulon as gjysmën
Kujtojmë se që prej shkurtit 2016, i vetmi koncesion i bërë publik për hemodializën ka qenë ai prej 100 milionë eurosh i dhënë kompanisë “Dia Vita” në pronësi të Spitalit Amerikan. Ky shërbim mbulohej vetëm në pesë qytete të Shqipërisë (Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan), duke përfshirë rreth 25% të pacientëve me sëmundje kronike që kanë nevojë për këtë trajtim.
Pacientët nga pjesa tjetër e vendit janë detyruar për vite të tëra të udhëtojnë drejt Tiranës, shpesh me mjete private, për të marrë një shërbim që është jetik për mbijetesën e tyre.
Asnjë të dhënë për fondet, as për numrin e pacientëve
Në faqet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë mungon çdo informacion për tender, marrëveshje apo negociatë që mund të ketë çuar në dhënien e këtij koncesioni. Nuk janë bërë publike as kostot që shteti do të paguajë për këtë shërbim te “Salus”, as numri i pacientëve që pritet të përfitojnë prej tij.
Ky mungesë transparence ka ngritur shqetësime të mëdha në opinionin publik dhe në radhët e profesionistëve të shëndetësisë.
Spitali “Salus” dhe lidhjet me Olti Peçinin
“Salus-Tirana” prezantohet si një spital me kapital italian, por dokumentet tregojnë një panoramë ndryshe: vetëm 3.5% e aksioneve zotërohen nga shtetasit italianë Sidney Stock dhe Franco Stock. Pjesa dërrmuese, 96.5%, është në pronësi të Anastas dhe Olti Peçinit.
Olti Peçini është një emër i njohur për publikun shqiptar, i lidhur më parë me skandalin e koncesionit “Rapiscan” për pajisjet e skanimit në Portin e Durrësit, kontratë që u denoncua për kosto të fryra dhe procedura të dyshimta.
Koncesion i heshtur, me pasoja të mëdha
Mënyra si është realizuar ky transferim – pa transparencë, pa konkurrencë, pa sqarime publike – ngre seriozisht alarmin për mënyrën se si po menaxhohen shërbimet publike në shëndetësi dhe fondet e taksapaguesve shqiptarë.