Një aksident rrugor u regjistrua pasditen e djeshme në qytetin e Peshkopisë, ku një automjet humbi kontrollin dhe përfundoi i përplasur në një dyqan, pranë kryqëzimit Velia.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30, dhe sipas burimeve të para nga Policia e Dibrës, dyshohet se drejtuesi i mjetit, një 27-vjeçar me inicialet A.Sh., ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Përplasja shkaktoi plagosjen e një efektivi policie që ndodhej në krye të detyrës, i cili po merr trajtim mjekësor në spital.
Njoftimi i policisë:
Dibër / Informacion paraprak
Rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit.