Një 48-vjeçar me precedent penal është arrestuar nga policia, pasi akuzohet për grabitje me dhunë dhe tentativë përdhunimi ndaj një shitëseje të re në Sarandë.
Ngjarja ndodhi më 2 maj 2025, në një dyqan në lagjen nr. 2 të qytetit, ku i dyshuari Jorgo Kumaraku, nën kërcënimin e një thike, mori me forcë 60,000 lekë të reja nga arka dhe ushtroi dhunë fizike ndaj shitëses 26-vjeçare.
Sipas hetimeve paraprake, autori dyshohet se tentoi të kryente marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj viktimës.
Pas shpalljes në kërkim, policia organizoi një operacion të përbashkët mes Komisariateve të Sarandës dhe Durrësit, që çoi në ndalimin e tij në qytetin bregdetar të Durrësit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Sarandë, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.