Një krim i rëndë tronditi qytetin e Shkodrës mëngjesin e së premtes, ku një shtetas amerikan, 58-vjeçari Brendon Saporito, vrau me thikë bashkëshorten e tij në një banesë të marrë me qira. Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pas mbërritjes së çiftit në Shqipëri.
Sipas informacioneve, autori i dyshuar i krimit ndodhej nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes. Pas vrasjes së gruas së tij, ai ka tentuar të vetëdëmtohet.
Zbulimi i ngjarjes u bë nga pronari i banesës, i cili kishte marrë me qira ambientin për çiftin. Ai ka deklaruar për policinë se gjatë natës kishte dëgjuar debate të forta mes bashkëshortëve dhe ishte detyruar t’u kërkonte disa herë të ulnin zërin për shkak të zhurmës. I shqetësuar nga situata, mëngjesin e së premtes ai ka vendosur të kontrollojë banesën dhe është përballur me pamjen e rëndë, duke njoftuar menjëherë policinë.
Hetimet janë ende në vijim, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten të paqarta.
Nga profili në Facebook i autorit rezulton se çifti kishte mbërritur në Shqipëri më 27 mars, pasi ishin nisur një ditë më parë nga aeroporti i Miamit. Në një nga fotot e postuara në rrjetet sociale, gruaja, Sandra Saporito, shkruante se kishin mbërritur me shëndet në Tiranë dhe ndodheshin në një lokal në kryeqytet.