Këngëtarja dhe kompozitorja shqiptare, Elina Duni, është shpallur fituese e Çmimit Zviceran të Xhazit për vitin 2025 një nga vlerësimet më prestigjioze në këtë fushë.
Ajo do ta marrë çmimin gjatë Festivalit të Xhazit në Ascona, ku do të ngjitet në skenë më 28 qershor me një performancë të veçantë.
Elina Duni është artiste e shtëpisë diskografike të njohur ECM dhe është vlerësuar më herët me Çmimin Zviceran të Muzikës në vitin 2017.
Organizatorët e çmimit e përshkruajnë si një zë të rrallë në xhazin bashkëkohor, që arrin të krijojë një gjuhë muzikore intime e poetike, duke bashkuar natyrshëm xhazin me trashëgiminë tradicionale shqiptare.
Diskografia e saj me ECM përfshin albume të rëndësishme si “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015), ndërsa në vitin 2018 solli “Partir”, një projekt më introspektiv pas fillimit të bashkëpunimit me kitaristin Rob Luft.
Me Luft, si dhe me Matthieu Michel në flugelhorn, Duni publikoi albumet “Lost Ships” (2020) dhe “A Time to Remember” (2023), duke zgjeruar më tej horizontin e saj muzikor.
E lindur në Tiranë dhe rritur në një familje artistësh, Elina Duni emigroi në Gjenevë pas rënies së regjimit komunist. Aty filloi me studime për piano klasike, por më vonë i përkushtoi energjinë muzikës xhaz, të cilën e studioi në Universitetin e Arteve të Bernës, me fokus në kompozim dhe improvizim.
Së bashku me pianistin Colin Vallon, kontrabasistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter, ajo themeloi kuartetin “Elina Duni Quartet” – një formacion që ka spikatur për përzierjen e thellë emocionale mes xhazit modern dhe rrënjëve folklorike të Ballkanit.