Ish-drejtoresha e Spitalit Rajonal të Dibrës, Irini Shehu, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pas një serie akuzash për përndjekje dhe dhunë ndaj punonjësve të institucionit shëndetësor.
Shehu u ndalua dy ditë më parë, pasi dyshohet se ka përndjekur drejtorin aktual të spitalit, Rruzhdi Deda.
Ndaj saj ishin ngritur më herët disa procedime për ngacmime të vazhdueshme ndaj stafit, ndërsa shkarkimi nga detyra erdhi pas një incidenti të rëndë ku goditi me një objekt të fortë shefin e financës, Shaban Uklala, i cili më pas e denoncoi në polici.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Shehu është denoncuar edhe nga punonjës të tjerë për fyerje dhe kërcënime të përsëritura.
Rasti më i fundit përfshin një akuzë për kërcënime me mesazhe dhe telefonata ndaj një shtetaseje 48-vjeçare, Sh.B.
Pavarësisht se i ishte ndaluar të hynte në ambientet e spitalit, Shehu është paraqitur sërish atje, duke provokuar tensione të tjera me personelin.
Për shkak të akumulimit të rasteve, prokuroria urdhëroi arrestimin e saj, ndërsa Shehu po përpiqet të shmangë qëndrimin në qeli duke qëndruar nën mbikëqyrje policore në një dhomë të spitalit, me pretendime për probleme shëndetësore.