Këshilli i Ministrave ka shpallur të shtunën, 26 prill 2025, si ditë zie kombëtare në nderim të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill, në moshën 88-vjeçare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Vendimi u mor me propozim të Kryeministrit, në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionit në fuqi.
Në kuadër të kësaj dite zie, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.
Po ashtu, të gjitha radiot dhe televizionet, publike dhe private, janë ftuar të transmetojnë muzikë funebër në shenjë respekti.
Papa Françesku ishte i pari papë nga Amerika e Jugut dhe njëkohësisht i pari papë Jezuit.
Kohët e fundit shëndeti i tij u përkeqësua shumë si pasojë e pneumonisë, sëmundje që shënjoi jetën e tij që në moshën 21-vjecare, ku si pasojë e pneumonisë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ku ju hoq pjesa e sipërme e mushkërisë së djathtë.
Papa vizitoi Shqipërinë më 21 shtator 2014. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, ai përqafoi popullin që kishte përjetuar diktaturën komuniste, kremtoi Meshën, përforcoi në fe bashkësinë katolike dhe vlerësoi harmoninë ndërfetare në një vend me shumicë myslimane, duke inkurajuar rrugën e demokracisë dhe bashkëjetesës.
Vizita e Papa Françeskut ndodhi 21 vite pas vizitës së Papa Gjon Palit II, i cili më 25 prill 1993 rivendosi hierarkinë e Kishës Katolike pas dekadash të persekutimit ateist-komunist.