Hetuesit kanë zbardhur detaje të reja lidhur me atentatin që ndodhi në Lundër, ku mbetën të plagosur katër persona.
Gjatë hetimeve, grupi hetimor ka gjetur disa sende që dyshohet se u përkasin autorëve të atentatit, të cilat u zbuluan në vendin ku ata mund të kenë pritur.
Në këto sende, hetuesit kanë gjetur gjurmë të dyshuarve dhe materiale gjenetike, të cilat janë dërguar në laborator për të përftuar profilin e ADN-së. Pas analizës, do të kryhen krahasime genetike për të vlerësuar nëse ndonjë provë mund të çojë në identifikimin e autorëve.
Atentati ndodhi më 17 prill rreth orës 21:30, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri armësh drejt një automjeti “G-Class”, ku ndodheshin katër persona, Arenc Stafa, 34 vjeç, Kian Mullahi, 19 vjeç, dhe dy të miturit, Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Marko Demiraj, 17 vjeç.
Pas ngjarjes, hetuesit morën dëshmitë e të plagosurve, të cilët theksuan se nuk kishin pasur asnjë konflikt dhe gjithashtu nuk kishin patur sherr ditën e ngjarjes. Ata po festonin ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe po ktheheshin në shtëpi, ndërsa shoferi, Arenc Stafa, gjithashtu nuk kishte precedent të mëparshëm penal.
Sipas hetimeve, të shtënat nisën nga rrethrrotullimi i Shkozës dhe vazhduan përgjatë autostradës deri te TEG. Për të shmangur atentatorët, shoferi i “G-Class”-it drejtoi automjetin drejt Lundrës, ku përfunduan duke u përplasur, pasi nuk mund të frenonin për shkak të të shtënave.
Shoferi, Arenc Stafa, dhe 19-vjeçari Kian Mullahi janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy të miturit, Marko Demiraj dhe Dior Demiraj, janë në gjendje më të rëndë, ku Dior ndodhet në gjendje kritike.
Hetuesit ende nuk kanë një pistë të qartë për këtë ngjarje, por dyshohet se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestrën, pasi janë munduar të qëllojnë ndaj një gruaje që udhëtonte gjithashtu me një automjet tip “G-Class” dhe jetonte në të njëjtin kompleks vilash me të rinjtë e plagosur. Dyshohet se gruaja ishte bashkëshortja e Roan Brahimit.