Deborah Keçi, drejtoresha e Klubit Sportiv “Tirana”, është mes të pandehurve në hetimin e nisur nga SPAK në kuadër të dosjes “5D”, që lidhet me abuzime në prokurimet publike të Bashkisë së Tiranës.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dënimin me 1 vit burg për Keçin, e cila akuzohet për favorizim të kompanive “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “5D Konstruksion sh.p.k” në një procedurë tenderimi, duke shkelur rregullat e konkurrencës dhe duke dhënë përparësi të padrejta operatorëve të lidhur me dy ish-zyrtarë të bashkisë, Qato dhe Molla.
SPAK nënvizon se Keçi ka komunikuar drejtpërdrejt me administratorin e kompanisë “5D Konstruksion” dhe ka lejuar që punonjës të kësaj kompanie të përfshiheshin në vlerësimin e ofertave, madje duke përdorur kredencialet e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave.
Përveç dënimit me burg, SPAK ka kërkuar që Keçit t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare.
Në të njëjtën dosje janë kërkuar dënime edhe për tre të pandehur të tjerë: Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Gentjan Meraj, për të cilët SPAK ka kërkuar 9 muaj burg secilit. Të gjithë përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar.
Seanca e radhës për shqyrtimin e çështjes është caktuar për datën 8 maj.