Një histori prekëse është rrëfyer në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ku një grua 60-vjeçare ka ndarë dhimbjen e thellë që mban prej vitesh, jo vetëm për humbjen e dy fëmijëve të saj, por edhe për zhdukjen misterioze të eshtrave të tyre.
Ajo ka deklaruar se ndodhet prej kohësh në konflikt të vazhdueshëm me një fqinj, i cili sipas saj, ka uzurpuar një pjesë të tokës që ajo e kishte trashëguar nga i ati dhe që shërbente si vendvarrim për dy fëmijët e saj të ndjerë.
Sipas rrëfimit, tragjeditë e saj nisën në vitin 1997 kur humbi fëmijën e parë gjatë muajit të tetë të shtatzënisë për shkak të një aksidenti gjatë punëve të fshatit. Fëmija i dytë ndërroi jetë në vitin 2002, pas një incidenti tjetër tragjik kur ajo pësoi një rrëzim teksa mbante misër në kurriz.
Të dy fëmijët u varrosën në një copë toke pranë kishës, dhe gjithçka ka qenë në rregull deri në vitin 2018, kur konflikti me fqinjin ka marrë përmasa dramatike.
Gruaja pretendon se pas një fatkeqësie në familjen e fqinjit, ku ai humbi djalin 14-vjeçar, ky i fundit ka varrosur fëmijën e tij pikërisht në të njëjtin vend ku ndodheshin varret e fëmijëve të saj.
Ajo shprehet se më pas është kërcënuar me jetë nga fqinji, nëse do tentonte të prekte varrin apo të kërkonte zhvendosjen e eshtrave të saj.
Më tragjike bëhet situata kur gruaja tregon se është njoftuar se eshtrat e fëmijëve të saj janë hedhur në një kanal nga vetë fqinji, dhe se ajo nuk ka më asnjë informacion për vendndodhjen e tyre.
Me lot në sy, ajo i bën thirrje institucioneve të ndërhyjnë dhe të rivendosin drejtësinë, në mënyrë që të mund t’i japë fund këtij makthi dhe të ketë një vend ku të qajë fëmijët e saj.
“Unë aktualisht kam 4 fëmijë. Në vitin 1997 humba fëmijën e parë kur isha 8 muajshe shtatzënë pasi po punoja punët e fshatit. E njëjta gjë ndodhi edhe me fëmijën e dytë në vitin 2002 sepse po mbaja misir në kurriz. Në atë moment jam rrëzuar në tokë dhe pashë që fëmija ishte goditur. Ka ardhur mamaja ime, dhe më ka transportuar me një karrocë dore deri në shtëpi.
Unë i kam varrosur të dy fëmijët në tokën e kishës dhe gjithcka ishte normale deri në vitin 2018. Unë kam një konflikt përvec varrit, por edhe për tokën me fqinjin pasi e kam të trashëguar nga babai. Ai është hakmarrë për këtë gjë, sepse edhe para disa kohësh ishte konfliktuar me djalin tim. Unë e kam dëgjuar ngjarjen një ditë që ai kishte humbur djalin e tij 14-vjeç dhe shkova në varrim së bashku me nënën. Më pas më morën në telefon dhe më lajmëruan se ai e kishte varrosur djalin tek vendi ku unë kisha varrosur dy fëmijët e mi. Ai kishte kërcënuar se do na vriste nëse do tentonim t’i lëviznim nga aty. Fqinji i ka marrë eshtrat e fëmijëve dhe i ka zhvendosur. Ai më tha se eshtrat i kishte hedhur në kanal. Unë kërkoj drejtësi nga institucionet.” tha ajo