Një ngjarje tronditëse ka goditur komunitetin e Gjirokastrës, ku një 17-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në fshatin Valarë, të dielën më 20 prill.
I riu, Vehip Peçi, nxënës në gjimnazin “Siri Shapllo”, dyshohet se i ka dhënë fund jetës përmes vetëvarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, ndërsa familjarët e transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Mjekët konstatuan se adoleshenti kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte ndihma mjekësore.
Sipas burimeve familjare, Vehipi po kalonte një periudhë të vështirë emocionale dhe kishte shfaqur shenja të izoluara të ankthit dhe trishtimit.
Miq të afërt të tij thanë se ai kishte folur më parë për mendime të errëta, por askush nuk e kishte imagjinuar se do të përfundonte në një akt fatal.
Në banesën e tij janë gjetur disa shënime të shkruara me dorë, ku i kërkonte falje familjes, mësuesve dhe psikologes që e kishte ndjekur, për shqetësimet që mendonte se kishte shkaktuar. Ai jetonte me nënën dhe dy motrat, ndërsa babai punonte në Greqi dhe qëndronte shpesh për kohë të gjata larg familjes.
Policia ka sekuestruar telefonin, shënimet personale dhe disa objekte të tjera që mund të ndihmojnë në hetim.
Po merren në pyetje bashkëmoshatarë, mësues dhe persona të afërt për të kuptuar më shumë rreth gjendjes së tij mendore dhe rrethanave të ngjarjes.
Një prej pistave që po hetohet lidhet me mundësinë e ndonjë ndikimi të natyrës fetare, megjithatë kjo mbetet e paprovuar.
Kjo është vetëvrasja e dytë brenda dy muajsh nga gjimnazi “Siri Shapllo”, pas ngjarjes tragjike të 17-vjeçares Irsa Meçollari.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse ka ndonjë faktor të përbashkët apo ndonjë nxitje të mundshme mes rasteve, edhe pse lidhje direkte nuk janë konstatuar deri më tani.
Vehipi përshkruhet nga mësuesit dhe shokët si një djalë i qetë, i sjellshëm dhe komunikues. Ai nuk kishte histori bullizmi apo konflikte në ambientin shkollor, çka e bën edhe më të pakuptueshme vendimin e tij tragjik.