Pas 12 vitesh në krye të Kishës Katolike Romake, Papa Françesku është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Në përputhje me dëshirën e tij të shprehur më herët, trupi i tij do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë Major në Romë, një nga katër bazilikat më të rëndësishme papale, që mban lidhje të veçanta me Selinë e Shenjtë.
Françesku është Papa i parë në më shumë se një shekull që nuk do të varroset në Vatikan. Ai ka kërkuar që ceremonia e lamtumirës të jetë më e thjeshtë se praktikat tradicionale.
Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët u varrosën në tre arkivole prej selvie, plumbi dhe lisi, ai ka zgjedhur një arkivol të vetëm prej druri, të veshur me zink. Trupi i tij nuk do të vendoset mbi një katafalk për homazhe publike, por do të qëndrojë brenda arkivolit me kapak të hapur për ata që duan të bëjnë nderimet e fundit.
Humbja e tij ka vënë në lëvizje një nga proceset më të vjetra dhe më simbolike të Vatikanit zgjedhjen e Papës së ri.
Cili është roli i Papës?
Papa është autoriteti më i lartë shpirtëror dhe drejtuesi suprem i Kishës Katolike. Ai konsiderohet pasardhës i drejtpërdrejtë i Shën Pjetrit, udhëheqësit të parë të Apostujve, dhe si i tillë ka autoritet të pakufizuar mbi të gjithë strukturën e Kishës Katolike, e ndjekur nga rreth 1.4 miliardë besimtarë në mbarë botën.
Përveç Biblës, mësimet dhe qëndrimet e Papës përbëjnë një burim themelor udhëzimi për besimtarët. Megjithatë, ky autoritet nuk njihet nga degët e tjera të krishterimit, si protestantët apo ortodoksët. Papa banon në Vatikan shteti më i vogël në botë, i rrethuar nga Roma dhe nuk merr një pagë, por të gjitha shpenzimet i mbulohen nga Selia e Shenjtë.
Si zgjidhet Papa i ri?
Zgjedhja e Papës së ri i takon Kolegjit të Kardinalëve – një grup zyrtarësh të lartë të Kishës, të emëruar drejtpërdrejt nga vetë Papa. Aktualisht janë 252 kardinalë, por vetëm 138 prej tyre janë nën moshën 80 vjeç dhe kanë të drejtë vote.
Procesi zhvillohet në mënyrë të rreptë dhe të fshehtë në Kapelën Sistine, ku kardinalët mblidhen në konklavë për të votuar derisa një kandidat të marrë dy të tretat e votave.
Rezultatet e çdo raundi votimi nuk publikohen, por tregohen përmes tymit: tym i zi nënkupton se ende nuk është zgjedhur Papa, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon përfundimin e votimit me sukses.
Si bëhet publike zgjedhja e Papës?
Pasi zgjedhja është finalizuar, Kardinali më i lartë del në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe shpall fjalët “Habemus Papam” – “Kemi një Papë”. Më pas prezantohet emri që Papa i ri ka zgjedhur për pontifikatin e tij, i cili shpesh është ndryshe nga emri i lindjes. Papa Françesku, për shembull, u lind si Jorge Mario Bergoglio dhe mori emrin e Shën Françeskut të Asizit.
Kush mund të bëhet Papa?
Teorikisht, çdo burrë i pagëzuar katolik mund të zgjidhet Papa. Por praktikisht, zgjedhja është thuajse gjithmonë nga radhët e kardinalëve. Papa Françesku ishte rasti i parë në histori që vinte nga Amerika e Jugut një rajon që përfaqëson afro 28% të katolikëve në botë. Megjithatë, shumica e Papëve historikisht kanë qenë europianë, sidomos italianë. Nga 266 papë në histori, 217 kanë qenë italianë.
Me largimin e Papa Françeskut, bota katolike hyn në një periudhë reflektimi dhe pritjeje për të parë kush do të jetë pasuesi i tij dhe si do të formësojë ai të ardhmen e Kishës në dekadat që vijnë.