Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë Kalasë së Krujës, ku një turist turk 23-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka goditur me makinë një roje parkingu pas një konflikti për pagesën.
Sipas informacioneve, ngjarja ndodhi kur roja, Bujar Dedja, tentoi të ndalonte një çift turistësh që po largoheshin pa kryer pagesën në një parking privat.
Pas një debati verbal, roja u përpoq t’u bllokonte rrugën dhe, në përpjekje për t’i ndaluar, u kap pas kofanos së makinës.
Pavarësisht kësaj, drejtuesi i automjetit nuk ndaloi, duke e tërhequr rojen për disa dhjetëra metra mbi kofano.
Si pasojë, roja përfundoi në tokë dhe mbeti i plagosur rëndë. Ai u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Turisti turk është vënë në pranga dhe po hetohet për rrethanat e incidentit që ka tronditur zonën turistike të Krujës.