Atentati me armë zjarri që plagosi katër persona në Tiranë po merr një tjetër kthesë hetimore.
Sipas policisë, objektiv i mundshëm i sulmit mund të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit, ndërsa katër të plagosurit dyshohet se janë goditur gabimisht.
Gruaja e Brahimit ka deklaruar para hetuesve se nuk ka dijeni mbi autorët që vranë vjehrrin e saj, Gjovalin Prendin, në Lezhë dhe nuk mund të pohojë nëse ngjarja në Tiranë është e lidhur me atë atentat.
Ajo theksoi se nuk ka konflikte personale, por nuk përjashtoi mundësinë që bashkëshorti i saj, i njohur ndryshe si Sidorel Prendi, mund të ketë pasur probleme me persona të tjerë.
Mësohet se ajo ndodhej në Tiranë në momentin e sulmit, çka përforcon dyshimet se autorët mund të kenë pasur informacion për lëvizjet e saj. Ajo gjithashtu nuk ka raporte të mira me familjarët e Roanit.
Ngjarja në Tiranë
Sulmi ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:30, kur persona të paidentifikuar hapën zjarr në drejtim të një automjeti tip “G-Class”, në të cilin ndodheshin katër persona: Arenc Stafa (34 vjeç), Kian Mullahi (19), si dhe dy të miturit Dior Demiraj (11) dhe Marko Demiraj (17). Të plagosurit thanë para hetuesve se nuk kanë konflikte dhe as precedentë penalë.
Ata po ktheheshin nga një festë ditëlindjeje për Diorin, ndërsa shënjestra duket se ka qenë dikush tjetër.
Sipas hetuesve, ndjekja e automjetit ka nisur nga rrethrrotullimi i Shkozës, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan, deri në zonën e TEG-ut, ku automjeti i viktimave ka devijuar drejt Lundrës për t’iu shpëtuar autorëve.
Mjeti është përplasur në vendin ku u gjet nga policia. Të plagosurit janë transportuar në spital, ku mësohet se Arenc Stafa dhe Kian Mullahi janë jashtë rrezikut, ndërsa 17-vjeçari Marko ndodhet në gjendje stabile. Dior, 11-vjeç, mbetet në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Ekzekutimi në Lezhë
Vetëm pak orë para atentatit në Tiranë, në fshatin Pllanë të Lezhës, u vra me breshëri plumbash Gjovalin Prendi, 65 vjeç babai i Roan Brahimit.
Tre persona, të armatosur dhe të maskuar, zbritën nga një fuoristradë dhe qëlluan në drejtim të tij teksa ndodhej në lokalin e vet. Viktima u transportua me urgjencë në spital, por nuk i mbijetoi plagëve.
Ky ishte atentati i tretë në adresë të lokalit të familjes Prendi pas dy sulmeve të mëparshme me armë dhe eksploziv.
Dyshohet se vrasja ka lidhje me hakmarrje për përfshirje të mundshme të djalit të tij në çështje kriminale. Gjovalin Prendi ishte një figurë e njohur në zonë dhe kishte tentuar më herët të ndërpriste ciklin e përplasjes mes palëve.
Për momentin, policia nuk ka një pistë të qartë, por dyshimet për ndërlidhje mes dy atentateve janë shtuar.
Grupi hetimor vijon analizimin e provave për të zbardhur plotësisht motivin dhe autorët e këtyre ngjarjeve të rënda.