Vrasja makabre e Ilaria Sulës, studentes shqiptare që u ekzekutua nga i dashuri i saj Mark Antony Samson më 26 mars në Itali, vijon të tronditë opinionin publik.
Por ngjarja ka marrë një kthesë edhe më të rëndë, pasi në vend që të shërbente si thirrje kundër dhunës, është keqpërdorur në mënyrë të turpshme.
Në një ndeshje futbolli të kategorisë U-17 mes ekipeve Sporting Terni dhe Sangemini Sport, është regjistruar një incident i rëndë me ngjyrim të qartë dhune verbale.
Gjatë pushimit mes pjesës së parë dhe të dytë, trajneri i Sporting Terni hyri në dhomat e zhveshjes dhe dyshohet se ka ofenduar rëndë gjyqtaren e ndeshjes. Ai ka kërcënuar me fjalë tronditëse:
“Duhet të përfundosh si Ilaria Sula… duhej të ishe vrarë që në fëmijëri… në këto raste duhet nxjerrë thika.”
Deklarata e tij shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Liga Kombëtare e Amatorëve, e cila njoftoi dënimin e trajnerit me një pezullim 3 vjet e gjysmë nga aktivitetet sportive.
Ilaria Sula, vetëm 24 vjeçe, u vra nga partneri i saj filipinas dhe trupi i saj u gjet pas disa ditësh kërkimesh, i fshehur në një valixhe në një zonë pyjore në periferi të Romës.
Autori u arrestua menjëherë pas zbardhjes së ngjarjes. Rasti i saj është kthyer në simbol të protestës kundër dhunës ndaj grave në Itali.