Pesë persona janë shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe kanë kërcënuar dy punonjës të bashkisë së Kavajës për shkak të detyrës që ushtrojnë.
Nga hetimet e kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë, janë referuar materialet në Prokurori dhe është bërë shpallja në kërkim e shtetasve:
– J. B., 33 vjeç, S. B., 36 vjeç dhe K. M., 37 vjeç, të tre banues në Durrës, të kallëzuar nga D. Q., 56 vjeçe, punonjëse e bashkisë Kavajë, e cila pretendon se është kanosur nga këta persona në ambientet e punës së saj;
– E. S., 43 vjeç dhe T. S., 46 vjeç, banues në Kavajë, të kallëzuar nga A. Ç., 52 vjeç, punonjës i po së njëjtës bashki, i cili ka deklaruar se është dhunuar fizikisht nga dy shtetasit në fjalë në ambientet e një subjekti privat.
Ngjarjet dyshohet të jenë të lidhura me detyrat që të dëmtuarit kryenin në kuadër të punës së tyre pranë institucionit vendor.
Materialet e çështjes i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për hetime të mëtejshme.