Policia e Shtetit ka zbuluar dhe goditur dy raste të trafikimit të lëndëve narkotike, konkretisht Cannabis me përqindje të lartë të Tetrahydrocannabinolit (THC), të dërguar me postë nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë.
Në kuadër të dy operacioneve të koduara “Pako 1” dhe “Pako 2”, u arrestuan në flagrancë tre persona, të cilët kishin shkuar të tërhiqnin pakot në degë të ndryshme postare në Tiranë dhe Shkodër. Ndërkohë, dy shtetas të tjerë, të dyshuar si porositës të drogës, janë shpallur në kërkim.
Në operacionin “Pako 1”, të zhvilluar në Tiranë, u arrestuan shtetasit A. P., 24 vjeç, dhe A. Xh., 55 vjeç, në momentin kur po tërhiqnin një pako që përmbante rreth 522 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC. Hetimet treguan se porositësi i kësaj pakoje ishte shtetasi B. F., 25 vjeç, tashmë në kërkim.
Ndërsa në Shkodër, gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua shtetasi M. H., 19 vjeç, i cili po merrte një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis. Edhe në këtë rast, droga dyshohet se ka ardhur nga SHBA. Si porositës rezulton shtetasi G. P., 23 vjeç, i shpallur në kërkim nga autoritetet.
Njoftimi i policisë
DVP Tiranë/Finalizohen për 24 orë, 2 operacionet e rradhës kundër trafikimit nga ShBA, të Cannabisit me përqindje të lartë THC, me qëllim shitjen në Tiranë.
Operacionet, rezultat i 2 hetimeve proaktive, të ndjekura nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës.
Arrestohen në flagrancë, sapo morën pakot me rreth 1.6 kg lëndë narkotike në degë postare në Tiranë dhe në Shkodër, 3 shtetas.
Policia identifikon 2 porositësit dhe vijon punën për kapjen e tyre.
Sekuestrohen 2 pakot me lëndë narkotike, 3 celularë dhe 1 motomjet.
Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur për disa muaj, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Prokuroria e Tiranës, u finalizuan në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Rinas, Degën Qendra Tranzite të Postës Shqiptare dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, operacionet policore antidrogë, të koduara “Pako 1” dhe “Pako 2”.
1. Gjatë operacionit “Pako 1”, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 24 vjeç dhe A. Xh., 55 vjeç, duke marrë në një degë postare në Tiranë, një pako me rreth 522 gramë Cannabis, me përqindje të lartë të Tetrahydrocannabinolit, që dyshohet se ishte trafikuar nga ShBA.
Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi B. F., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
2. Gjatë operacionit “Pako 2”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 19 vjeç, duke marrë në një degë postare në Shkodër, një pako me rreth 1.07 kilogramë Cannabis, me përqindje të lartë të Tetrahydrocannabinolit, që dyshohet se është trafikuar nga ShBA.
Nga hetimet ka rezultuar se porositësi i pakos ishte shtetasi G. P., 23 vjeç, i cili u shpall në kërkim.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këto raste.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.