Të tjera detaje kanë dalë në dritë mbi atentatin e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, ku mbetën të plagosur katër persona, mes tyre edhe dy të mitur.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 21:30, në zonën e Lundrës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri armësh zjarri në drejtim të një automjeti tip “G-Class”.
Sipas hetimeve paraprake, autorët dyshohet se kishin ndjekur mjetin që nga rrethrrotullimi i Shkozës, përgjatë autostradës, e më pas e kanë goditur pranë tregut Agroushqimor dhe qendrës tregtare në Lundër.
Në tentativë për t’i shpëtuar sulmit, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur. Katër personat në makinë janë gjetur të plagosur dhe janë transportuar më pas në spital nga kalimtarë të rastit.
Të plagosurit janë identifikuar si Arenc Stafa, 34 vjeç (shoferi), Kian Mullahi, 19 vjeç, si dhe dy të miturit Marko Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç. Stafa dhe Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Dior Demiraj mbetet në gjendje më të rënduar.
Pas trajtimit fillestar në spitalin e Traumës, 17-vjeçari dhe 19-vjeçari janë transferuar në një spital privat.
Të dhënat e para tregojnë se të rinjtë nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe as precedent penal. Ata kishin qenë më herët në Shijak, duke festuar ditëlindjen e 11-vjeçarit dhe po ktheheshin në kryeqytet kur ndodhi atentati.
Përgjatë orëve të fundit, grupi hetimor ka analizuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë. Të dhënat e reja hedhin dyshime se atentati është kryer nga dy persona që udhëtonin me një motor tip “Ducati”.
Autorët fillimisht kanë zënë pritë, më pas kanë ndjekur dhe qëlluar mbi automjetin në lëvizje. Dyshohet se pas sulmit janë ndihmuar nga një person i tretë që i ka pritur me një automjet për t’u larguar nga vendngjarja.
Fillimisht u mendua se atentati kishte lidhje me familjarët e një firme private sigurie, por burime nga prokuroria tregojnë se në shënjestër ka qenë bashkëshortja e Roan Brahimit. Babai i këtij të fundit ishte vrarë në Lezhë, vetëm 45 minuta para atentatit në Tiranë.
Mjeti që përdornin katër të rinjtë rezulton të ketë qenë i njëjti model me atë të bashkëshortes së Brahimit, duke ngritur dyshimet për një ngatërrim të mundshëm të shënjestrës.
Ndërkohë, policia ende nuk ka gjetur as motorin e përdorur në atentat dhe as ndonjë automjet të djegur që mund të jetë përdorur për t’u larguar autorët.
Hetuesit vijojnë punën për identifikimin e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri tani nuk ka persona të shoqëruar apo të dyshuar konkretë për sulmin.