Një ngjarje e rëndë ka tronditur Universitetin Shtetëror të Floridës, ku dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në ambientet e një konvikti universitar.
Sipas autoriteteve, asnjëri nga viktimat nuk është student.
Sherifi i qarkut, Walter McNeil, bëri të ditur se autori i dyshuar është një 20-vjeçar, djali i një efektivi policie.
Në vendngjarje është gjetur një prej armëve që rezulton të jetë në pronësi të babait të tij, duke ngritur shqetësime mbi aksesin në armët e zyrtarëve të rendit nga familjarët.
Incidenti ndodhi pak pas mesditës me orën lokale. Policia reagoi menjëherë pas marrjes së një telefonate për një sulmues aktiv në zonën e konviktit.
Pas mbërritjes, u dha menjëherë alarmi për evakuim dhe u këshillua personeli dhe studentët që të strehoheshin dhe të ndiqnin udhëzimet e forcave të sigurisë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në mbarë vendin. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ndodhej në një takim zyrtar me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Shtëpinë e Bardhë, deklaroi se ishte informuar menjëherë për incidentin dhe e quajti “një turp të madh, një tragjedi të tmerrshme”.
Si pasojë e të shtënave, drejtuesit e universitetit kanë pezulluar mësimet deri ditën e premte, ndërsa të gjitha aktivitetet sportive të planifikuara për fundjavë janë anuluar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.