Mark Antony Samson, autori i vrasjes së Ilaria Sulës, ka rrëfyer para prokurores italiane të gjithë ngjarjen makabre që çoi në humbjen e jetës së studentes shqiptare. Mediat italiane raportojnë se 23-vjeçari me origjinë nga Filipinet ka dhënë një dëshmi të detajuar, duke treguar jo vetëm momentin e krimit, por edhe veprimet e tij pas vrasjes.
Sipas Samsonit, gjithçka ndodhi në dhomën e tij, në kohën kur prindërit ndodheshin në shtëpi. Ai pranoi se pasi e kishte dhunuar Ilarian një fakt i konfirmuar nga autopsia e goditi dy herë me thikë nga pas.
“Nuk bërtiti shumë. E godita dy herë me thikë nga pas dhe ajo nuk ndjeu thuajse asgjë. Ajo vdiq menjëherë. U gjenda në dhomën time me trupin e Ilarias të shtrirë në tokë. E futa në dy thasë që kisha në kuzhinë. Dalëngadalë po kuptoja çfarë kisha bërë. Aty mu kujtua një frazë që gjyshi im ma tha përpara se të vdiste. Për çdo gjë ka një zgjidhje, përveç vdekjes. E kontrollova disa herë nëse Ilaria ishte gjallë, por jo, ajo kishte vdekur. Trupin e saj e futa në një çantë, por zinte vetëm gjysmën. Më pas gjeta një valixhe më të madhe, e cila e zinte të tërën”, tha i përlotur Samson.
Pasi fshehu trupin, e transportoi valixhen dhe e hodhi në një zonë të pyllëzuar në periferi të Romës. Paralelisht, për të mbuluar gjurmët, ai nisi të dërgonte mesazhe nga telefoni i viktimës, duke u shtirur si Ilaria.
Një ditë më parë u zbuluan dhe mesazhet që filipinasi i kishte dërguar shoqes së ngushtë të Ilarias, duke u hequr sikur ishte 22-vjeçarja shqiptare. Aty i shkruante se kishte ikur të takonte një djalë që sapo e kishte njohur dhe sikur kishte kaluar natën me të.