Vrasja brutale e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila u godit me thikë dhe më pas u hodh nga një shkëmb në një zonë pyjore në Polit të Italisë, mbetet një ngjarje e mbuluar me mister.
Autori i dyshuar është ish-i dashuri i saj, Mark Samson, por familja e Ilarias kërkon që drejtësia të shkojë deri në fund dhe të zbardhë të gjithë të përfshirët.
Prindërit e saj, Flamur dhe Gëzime Sula, së bashku me vëllain Leon, janë të vendosur për të mësuar të vërtetën.
“Nuk dua t’i drejtoj gishtin askujt, këtë do ta bëjë drejtësia. Policia dhe prokuroria po hetojnë dhe e vërteta do të dalë në shesh,” u shpreh babai i viktimës para gazetarëve, duke lënë të kuptohet se dyshimet për bashkëpunëtorë të mundshëm nuk përjashtohen.
Sipas tij, Ilaria nuk kishte asnjë arsye për të shkuar në banesën e ish-të dashurit.
“Ajo nuk do të kishte shkuar kurrë në shtëpinë e ish-it të saj. Ilaria nuk shkoi kur ishin të lumtur bashkë, e shkoi tani që ishin ndarë? Është absurde. Kush ishte Ilaria? Vetëm shikoni përreth, vetëm dëgjoni njerëzit të flasin. Ajo kishte aq shumë ëndrra… aq shumë ëndrra. Donte të bëhej financiere. Më tha: ‘Ke një vajzë të mrekullueshme dhe duhet të jesh i lumtur për vajzën që ke’. Po bëhej gati të diplomohej në tetor,” shpreh i ati.
Në lidhje me letrën e ndjesës që Samson u dërgoi familjarëve, babai i Ilarias u shpreh i ftohtë:
“Tani kërkon falje? Jo tani. Ndoshta pas 30 apo 40 vitesh. Ai thotë se qan, por ne kemi 20 ditë që nuk pushojmë së qaruri për vajzën tonë.”
Ai hodhi poshtë edhe pretendimin e autorit të dyshuar se e donte Ilarian.
“Nëse do ta donte vërtet, nuk do ta kishte vrarë. Kjo nuk është dashuri, është një tradhti e pafalshme,” tha ai, duke rikujtuar momentin kur Samson u shpreh se nuk do ta lëndonte kurrë vajzën. “Por kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi.”