Numri i viktimave nga shembja tragjike e çatisë në klubin e natës Jet Set në Santo Domingo, kryeqytetin e Republikës Domenikane, është rritur në 218.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar janë gjithnjë e më të zbehta, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Drejtori i operacioneve emergjente, Juan Manuel Mendez, konfirmoi për mediat lokale se deri tani janë shpëtuar 189 persona, por theksoi se këto janë ende shifra paraprake.
Ai deklaroi se ekipi i tij nuk do të largohet nga vendngjarja pa përfunduar çdo centimetër kërkimi:
“Nuk do të lëmë asgjë pa kontrolluar. Do të qëndrojmë këtu derisa të gjejmë të gjithë të gjallë apo të vdekur.”
Shembja ndodhi të martën herët në mëngjes, në një moment kur klubi ishte plot me njerëz përfshirë muzikantë, sportistë të njohur dhe zyrtarë shtetërorë.
Dëshmitarët thanë se pluhuri nisi të binte nga tavani në pijet e njerëzve vetëm disa minuta para se struktura të shembej plotësisht.
Teksa operacioni i shpëtimit ka kaluar në fazën e rikuperimit, dhjetëra familjarë dhe miq të viktimave janë mbledhur pranë Institutit Kombëtar të Patologjisë Ligjore, duke pritur me ankth çdo informacion për fatin e të afërmve të tyre.
Autoritetet kanë konfirmuar identitetin e 54 viktimave dhe kanë dorëzuar trupat e 28 prej tyre familjeve. Ndërkohë, 33 trupa mbeten ende të paidentifikuar.
Më shumë se 150 persona u lënduan nga shembja, ndërsa mbi 20 prej tyre ndodhen ende të shtruar në spital, përfshirë të paktën tetë në gjendje kritike.
Sipas Dr. Julio Landron, drejtor i Spitalit të Traumës Dr Ney Arias Lora, pesë prej të plagosurve më të rëndë kanë dëmtime serioze si fraktura të kafkës, legenit dhe femurit. Ai theksoi se shumë prej tyre kaluan deri në tetë orë nën rrënoja, me trauma të shumta dhe gjakderdhje.
Shkaku i shembjes së çatisë mbetet i paqartë. Klubi Jet Set ka deklaruar se është duke bashkëpunuar me hetimet.
Ministria e Punëve Publike e ka referuar çështjen në zyrën e kryetarit të bashkisë, i cili deri tani nuk ka dhënë asnjë koment.