Fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse, e cila mund të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, si pneumoni, encefalopati dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete.
Për shkak të rritjes së rasteve me fruth në Shqipëri dhe në Evropë, ekspertja e Shëndetit Publik, Rovena Daja, thekson se për të parandaluar shpërthimet, është e domosdoshme një mbulesë vaksinale mbi 95%.
Ajo hedh poshtë teoritë e rreme që lidhen me vaksinën, përfshirë ato që e lidhin me autizmin, duke theksuar se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe shumë efektive.
“Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse. Nevojitet mbulesë vaksinale mbi 95 % për të evituar shpërthimet. Rastet e rritura në Shqipëri dhe Europë me fruthin lidhen me mungesën e vaksinimit. Prindërit refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre për shkak të teorive të autorizimit. këto janë teori të gabuara dhe kanë rënë poshtë nga të gjitha studimet në të gjithë botën. Vaksina ndaj fruth rubeolës është e sigurt, nuk shkakton autizëm dhe është shumë efektive”.
Ajo u bëri thirrje prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre në kohën e duhur, duke kujtuar rrezikun që përfaqëson kjo sëmundje.
“Vaksinoni fëmijët tuaj se fruthi është shumë ngjitëse jep pneumoni, encefalopati dhe shkon deri në humbje jete vaksina aplikohet në dy doza; e para në moshën 1 vjeç dhe e dyta në moshën 5 vjec. Vaksinoni fëmijët tuaj! vaksinoni duke besuar!”