E ftuar në emisionin Kafe Shqeto, Florina Cani, nëna e të ndjerit Martin Cani, foli për tragjedinë që i mori jetën djalit të saj disa muaj më parë pas një konflikti fizik në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.
Ajo kërkoi drejtësi dhe u bëri thirrje autoriteteve të veprojnë me transparencë dhe përgjegjësi.
“Martini ma jep forcën që të jetoj dhe unë do të këmbëngul deri në fund që e drejta të dalë në dritë,” u shpreh ajo.
Florina Cani denoncoi mungesën e reagimit nga bashkëmoshatarët dhe të njohurit e Martinit pas ngjarjes, duke vënë në dukje se askush nuk u afrua për ta ndihmuar në momentin kritik.
“U bënë gati pesë muaj dhe çdo ditë e mendoj se ka një ftohje nga të gjithë, edhe nga bashkëmoshatarët e Martinit. Nuk u afrua askush për ta ndihmuar, kur ai ishte i shtrirë përtokë. Një fëmijë i shtrirë në tokë duhet të marrë ndihmë, dikush duhet të afrohet për ta ndihmuar. Kjo tregon se kemi humbur ndjesinë e njerëzillëkut,” tha ajo.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga nëna e të ndjerit ishte trajtimi mjekësor pas incidentit. Ajo kritikoi vendimin për ta dërguar Martinin te Spitali i Traumës, në vend që t’i ofrohej ndihmë e menjëhershme te Spitali “Nënë Tereza”, ku ndodhen specialistët e kardiologjisë.
“Në momentin e incidentit, ai u transportua fillimisht nga një zonjë e nderuar te Nënë Tereza, por më pas u dërgua te Trauma. Kjo ishte një gabim, sepse në Spitalin e Traumës nuk ka mjekë specialistë për zemrën, ndërsa tek ‘Nënë Tereza’ po. Për më tepër, trafiku në Tiranë është i rënduar dhe ambulanca nuk ka korsinë e saj për të lëvizur shpejt. Po të na kishin thirrur si prindër, ne do ta kishim çuar menjëherë në një spital privat, sepse i kishim mundësitë dhe do të bënim gjithçka për ta shpëtuar.”
E përlotur, ajo përfundoi: “Edhe veten do ta kisha ndërruar me Martinin, ia kisha dhënë zemrën vetëm që ai të jetonte.”