Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim të pandehurin Ervin Muça, i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për çështjen penale nr. 5404, datë 01.09.2023, ka rezultuar se Ervin Muça, në lidhje me procedurat e backup-it dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe nuk ka hartuar asnjë informacion zyrtar, memo informuese apo plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.
Gjithashtu, ai ka urdhëruar hapjen e portave USB dhe ka lejuar futjen e personave të paautorizuar për të asistuar në procesin e backup-it, konkretisht shtetasin K.M., i cili nuk ishte pjesë e stafit.
Ky i fundit ka hyrë shpesherë në ambientet e institucionit duke përdorur PIN-in personal të një punonjësi tjetër, i cili nuk ishte i pranishëm.
Hetimet kanë vërtetuar gjithashtu lidhjen midis pajisjes hard disk të sekuestruar dhe kompjuterit të identifikuar të lidhur me serverat, duke mundësuar një proces manual të backup-it përmes eksportimit të të dhënave. Ky proces ishte i panevojshëm, pasi sistemi i brendshëm kryen automatikisht dy backup-e.
Për më tepër, në pajisjen e sekuestruar janë evidentuar gjurmë të këtij procesi. Hyrja e paautorizuar kompjuterike është kryer pas hapjes së portave USB, ndërsa procesi i backup-it ka filluar dhe ka vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht.
Sa i përket akuzës për “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për të cilën ishte regjistruar procedimi penal nr. 5404/2023, është vendosur ndarja e çështjes.