Çmimi i shitjes së vezëve në burim nga pularitë pothuajse është dyfishuar, pas ngordhjes së pulave për shkak të gripit të shpendëve H5N1.
Në pularitë kryesore të vendit, çmimi i shitjes së vezës ka arritur nga 20 deri 21 lekë për kokërr, një rritje prej 90 deri 100% krahasuar me çmimet e mëparshme që ishin 10 deri 11 lekë.
Po ashtu, në tregun e pakicës, çmimi ka arritur deri në 25 lekë për kokërr, me një rritje prej 20 deri 47% krahasuar me çmimet e mëparshme.
Kjo rritje është ndikuar nga një rënie e prodhimit pas shpërthimit të gripit të shpendëve në fillim të marsit, ku 67 mijë shpendë u asgjësuan.
Kjo situatë ka ndikuar edhe në fuqinë blerëse, që ka rënë për shkak të frikës së konsumatorëve, megjithëse operatorët garantojnë sigurinë e produkteve të tyre.
Për më tepër, në fermën e shpendëve Rea’s, gripi i shpendëve ka shkaktuar ngordhjen e 69 mijë pulave dhe bllokimin e 250 mijë vezëve.
Situata ka shkaktuar një përkeqësim të ndjeshëm në sektorin e mbarështimit, duke sjellë ndërprerjen e aktivitetit dhe mundësi përhapje të virusit edhe në fermat e tjera.
Pjesë e këtij procesi është dhe asgjësimi i vezëve të bllokuara dhe vendosja e karantinës për fermat e prekura.
Po ashtu, gripi i shpendëve është shfaqur edhe në fermat e tjera, si tek “Aiba”, ku 1848 shpendë janë ngordhur.
Ministria e Bujqësisë ka ndaluar shitjen dhe tregtimin e shpendëve të gjallë në disa zona të Durrësit dhe po monitoron situatën me shumë kujdes.
Ndërprerja e aktivitetit në fermat e prekur rrezikon të shkaktojë pasoja të mëtejshme në tregun e vezëve dhe të mishit të pulës, duke ndikuar në çmimet dhe furnizimin e tregut në muajt në vijim.
Gripi i shpendëve u shfaq në vend edhe 3 vite më parë, në mars të 2022 dhe rënia më e madhe e prodhimit të vezëve ishte në qarkun e Durrësit, ku është i përqendruar numri më i lartë i stabilimenteve të rritjes së shpendëve.
Në Durrës prodhimi i vezëve për 2022 ra rreth 48% krahasuar me vitin paraardhës. Në total sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 numëroheshin rreth 4,9 milionë pula në të gjithë vendin. Krahasuar me 2021 numri i tyre ra rreth 5%.
Pa ndihmën e subvencioneve të shtetit prodhuesit arritën të zëvendësonin shpendët e ngordhura përgjatë 2023, ku në fillim të vitit eksportuan edhe sasi të larta të prodhimit.
Për këtë vit sipas operatorëve vlerësohet pozitivisht nisja e rimbursimeve nga shteti për zëvendësimin e shpendëve të ngordhur. Çmimet e pulave për prodhim në treg variojnë nga 4,5 deri 5 euro për krerë.
Në 2023, sipas të dhënave të INSTAT numri i pulave arriti në 4,8 mln krerë. Krahasuar me 2022 numri i tyre ra 2,4%. Në 2023 prodhimi i vezëve u rrit 15% krahasuar me 2022./ Monitor