Mesnata e sotme është afati përfundimtar për partitë politike për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Pasditen e sotme, PS dhe PD do të finalizojnë listat për deputetët, me 46 emra për listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.
Partia Socialiste do të mbledhë Kryesinë në orën 19:00, ku do të shpallet përbërja e ekipit socialist për zgjedhjet e 11 majit. Para kësaj mbledhjeje, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me bordin e diasporës, që drejtohet nga ministri Taulant Balla.
Rama ka deklaruar se deputetët, edhe ata me një mandat, do të jenë pjesë e listave të hapura.
Ndërkohë, ai ka lënë të kuptohet se drejtuesit politikë të qarqeve dhe disa emra të rinj mund të jenë pjesë e listave të mbyllura. Për veten e tij, Rama ka shprehur se nuk ka marrë ende një vendim dhe se mund të mos jetë fare pjesë e listave.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar pasditen e sotme. Kryesia do të mblidhet në orën 17:00, ndërsa Këshilli Kombëtar do të zhvillojë mbledhjen e tij në orën 19:00.
Pas këtyre takimeve, PD do të shpallë kandidatët që do të përfaqësojnë partinë në zgjedhjet e 11 majit. Ky proces do të shërbejë gjithashtu për diskutimin dhe miratimin e listave të kandidatëve që do të garojnë për PD-në.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike do të garojë në kuadër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (ASHM), i cili përfshin 26 parti, duke përfshirë PL e Ilir Metës, PR e Fatmir Mediut dhe PDK e Nard Ndokës.
Gjithashtu, në këtë koalicion janë përfshirë Shpëtim Idrizi i PDIU dhe Vangjel Dule i PPDNJ. Sipas marrëveshjes, çdo parti do të propozojë kandidatët e saj për listën shumëemërore, duke marrë parasysh peshën elektorale dhe negociatat. Në këtë koalicion, Partia e Lirisë do të ketë 4 deputetë të sigurtë, ndërsa aleatët e tjerë do të kenë nga një deputet secili, duke siguruar kështu 8 mandate të sigurta për koalicionin.
Po ashtu, në zgjedhjet e 11 majit, garojnë edhe dy koalicione të tjera: “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, dhe “Djathtas për Zhvillim” e Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit.