Skip to content
Politikë

Dosja Veliaj/ Prej 4 orësh në GJKKO, përfundon mbrojtja

· 2 min lexim

Në Apelin e Gjykatës së Posaçme ka përfunduar mbrojtja e avokatëve të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ata kanë kërkuar dhënien e garancisë pasurore për lirimin e Veliajt. Seanca ka nisur prej katër orësh dhe po shqyrtohet ankimi i masës së sigurisë për Veliajn.

Mbrojtja është realizuar edhe nga avokatët Ermir Betas dhe Artur Selmanit, të cilët kërkuan shfuqizimin e masës “arrest me burg” ose zëvendësimin e saj me një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se Veliaj nuk mund të prishë provat.

Në të njëjtën seancë, katër biznesmenë kanë ankimuar masën e sigurisë, përfshirë Elman Abule, i cili ndodhet në arrest me burg, dhe Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi, të cilët janë në detyrim paraqitjeje. Avokatja e Abules, Romina Zano, ka paraqitur mbrojtjen për klientin e saj.

Gjithashtu, gjatë seancës është përpjekur të hyjë në sallën e gjyqit edhe avokati amerikan Joshua Roberts, i cili po këshillon Veliajn, por nuk është lejuar.

Në fund të seancës, Prokuroria e Posaçme do të shprehet për kërkesat e avokatëve që kanë ankimuar masën.

Pas kësaj, gjyqtari Engert Pëllumbi do të tërhiqet në dhomë këshillimi për të shpallur vendimin, nëse do të lërë në fuqi masën e datës 12 shkurt të GJKKO ose do të ndryshojë atë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt në zyrën e Bashkisë Tiranë, i dyshuar për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është lënë në masën e sigurimit “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij kanë krijuar një mekanizëm për të marrë përfitime të parregullta nga fondet publike të Bashkisë Tiranë, duke u pasuruar në mënyrë të kundërligjshme.