Policia ka arrestuar 36-vjeçarin Isnik Nokshiqi, i dyshuar për veprën penale “Vrasje për shkak të cilësive të veçanta”, e mbetur në tentativë.
Ngjarja ndodhi në zonën e Freskut, ku policia kishte marrë masa sigurie për një aktivitet të Kryeministrit.
Rreth orës 17:35, një automjet tip Chevrolet i kuq me targë AB 240 HO ndaloi pranë zonës së aktivitetit, ku drejtuesi i mjetit fyeu punonjësit e policisë dhe Gardës, më pas u largua me shpejtësi.
Makina u ndalua pak më tej nga Shefi i Policisë Rrugore dhe agjenti i krimeve Altin Lami, por drejtuesi refuzoi të zbatojë urdhrat e policisë.
Në përpjekje për ta ndaluar, ai reagoi me dhunë dhe u largua, duke rrezikuar jetën e tre punonjësve të policisë, shefit të seksionit të aksidenteve Sokol Novaku, shefit të Policisë Rrugore Roven Zeka dhe agjentit të aksidenteve Altin Lami.
Ky i fundit u godit nga automjeti, duke u përplasur mbi kofano për rreth 20 metra. Agjenti po trajtohet në Spitalin e Traumës, pasi ka pësuar fraktura të shumta.
Pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë Rrugore dhe Komisariati nr. 4, autori braktisi makinën në rrugën e Dajtit dhe u kap brenda një ore, pas negociatave me familjarët e tij.