Detaje të reja kanë dalë në lidhje me incidentin e shkëmbimit të zjarrit që ndodhi më 22 shkurt 2025 në Kamëz, ku objekti i sulmit të armatosur ishte 30-vjeçari Enedjon Kaçi. Policia ka arrestuar një 17-vjeçar, i dyshuar për drejtimin e automjetit nga i cili u qëllua ndaj makinës së Kaçit.
Sipas hetimeve të deritanishme, 17-vjeçari ka dhënë një deklaratë të rreme, duke tentuar të pengojë procesin hetimor. Ai është arrestuar dhe akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Aktualisht, tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Dy prej tyre, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, të moshës 24 vjeç, dyshohet se janë autorët e atentatit, ndërsa 30-vjeçari Enedjon Kaçi është gjithashtu në kërkim për lidhje me ngjarjen.
Atentati u regjistrua rreth orës 22:00 pranë rrethrrotullimit “Ulliri” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz, ku dy autorët e dyshuar qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë tip “BMW X5” ndaj mjetit “Land Rover” të Enedjon Kaçit. Megjithatë, askush nuk u plagos nga plumbat.
Pas sulmit, autorët u larguan me shpejtësi dhe braktisën automjetin në rrugën “Valeta”, duke u arratisur me një tjetër makinë tip “Golf” të bardhë. Nga ana tjetër, Enedjon Kaçi është parë duke u larguar në drejtim të Kodër Institutit, ku la makinën e tij pranë një karburanti. Hetimet kanë konfirmuar se makina e tij kishte dëmtime nga plumbat në krahun e majtë.
Policia vazhdon hetimet për kapjen e të dyshuarve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme.