Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e biznesmenit Gent Sula për heqjen e sekuestros nga apartamenti 81 metra katror, i cili ishte sekuestruar si pronë e Jorgo Goros dhe ndodhet pranë Gardës në kryeqytet.
Sipas SPAK, apartamenti ishte një pronë e fshehur dhe e padeklaruar nga ish-kryebashkiaku i Himarës, ndërsa Gent Sula ka pretenduar se apartamenti ishte i tij dhe se ia kishte lënë në përdorim.
Ai ka kërkuar heqjen e sekuestros nga Gjykata e Posaçme, ku kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili e rrëzoi.
Prokuroria ka kërkuar dënimin me 3 vite burg për Jorgo Goron dhe konfiskimin e apartamentit. Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.