Sebastian Muçmata doli sot para Gjykatës së Kukësit për plagosjen me armë të Elvis Halilajt, kushëririt të kryebashkiakut Albert Halilaj.
Prokurorja e çështjes, Vilma Kapaj, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për Sebastian Muçmatën, i cili akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje dhe posedim të municioneve luftarake.
Autori i plagosjes ka shpjeguar para oficerëve të policisë gjyqësore se ngjarja është shkaktuar nga një konflikt i lidhur me pozitat profesionale të vëllait të tij, Zenel Muçmatës, i cili mban postin e Drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë e Kukësit.
Sipas versionit të tij, Zenel Muçmata ka ndikuar në largimin nga puna të Elvis Halilajt, dhe kjo ka qenë arsyeja e përplasjes që çoi në plagosje.