Safet Bajri, një nga liderët e grupit kriminal “Bajri” me qendër në Dobraç të Shkodrës, u arrestua mesditën e sotme me urdhër të SPAK, lidhur me vrasjen e Fatbardh Licit, një ngjarje që ndodhi më 10 gusht 2018.
Bajri akuzohet gjithashtu për krijimin dhe pjesëmarrjen në një grup të strukturuar kriminal.
Fatbardh Lici, i lidhur me familjen Lici, ishte vëllai i Sokol Licit dhe Mustafa Licit, ndërsa xhaxhai i Ibrahim Licit dhe kunati i Lulzim Kullës, një figurë e njohur e Shkodrës, i cili gjithashtu u vra.
Konflikti mes fiseve Bajri dhe Lici dyshohet të ketë nisur pas një atentati të pasukseshëm ndaj Lulzim Kullës në janar 2018, ku shpërthimi i telekomanduar plagosi tetë persona, përfshirë Kullën.
Në korrik të atij viti, çifti Boran Bërçana dhe Silva Ndoci u ekzekutuan pas një atentati në Shkodër. Dyshohet se Bërçana kishte lidhje me grupin Bajri dhe mund të ketë qenë i përfshirë në atentatin ndaj Kullës.
Më pas, më 10 gusht 2018, Fatbardh Lici u vra, dyshohet si një hakmarrje për vrasjen e Bërçanës nga fisi Bajri.
Pas kësaj, ngjarjet u përshkallëzuan me zhdukjen e Agron Mollajt dhe Gëzim Hysës më 23 gusht 2018, si dhe vrasjen e Arjan Ferracakut më 1 shtator 2018, që dyshohet të jetë realizuar nga një anëtar i familjes Lici.
Vrasja e Fatos Ferracakut më 14 nëntor 2018, gjithashtu ka lidhje me këtë përplasje. Në mars të 2019, vrasja e Ferdinand Polias, megjithatë, u zbardh nga policia dhe rezultoi të mos kishte lidhje me këto konflikte.
Një tjetër vrasje e dyshuar hakmarrje ishte ajo e Endri Mustafës, ku autor dyshohet të jetë Ibrahim Lici.
Përplasjet mes fiseve vazhduan me atentate të tjera, duke përfshirë ekzekutimin e Astrit dhe Brahim Bilalit më 30 mars 2019, që lidhen me rivalitetin mes bandave të Shkodrës.
Më 18 qershor, një ngjarje tjetër tragjike ndodhi kur Mehdi Kavaja, një riparues makinash, u qëllua për vdekje në servisin e tij, një vrasje që dyshohet të ketë pasur motive hakmarrjeje.