Më 19 shkurt, pas pesë dështimeve në seancat e Apelit, u zhvillua seanca e plotë dhe e gjatë në Apelin e Tiranës.
Në seancë ishin të pranishëm dy avokatët e të pandehurit, si dhe vetë vrasësi. Gjyqi u bë i gjatë dhe trupa gjykuese nuk pranoi që gjyshi i Jonadës, Ismet Avdiaj, të fliste, duke lejuar që fjalën ta lexonte avokati i familjes Avdiaj, Adriatik Lapaj.
Avokatët e të pandehurit kërkuan që pamjet filmike nga kamerat e hotelit të shfaqen në seancën tjetër, më 27 shkurt 2025. Ata gjithashtu kërkuan ndryshimin e klasifikimit të veprës penale, për të ulur dënimin e të pandehurit.
Ismet Avdiaj, gjyshi i Jonadës, theksoi se vendimi i shkallës së parë, ku autori u dënua me 18 vite burg, kishte sjellë drejtësi, dhe një rikonfirmim do të ishte dinjitoz për tragjedinë e familjes Avdiaj.
Jonada Avdiaj, një 7-vjeçare, humbi jetën tragjikisht në plazhin e Potamit në Himarë pas një përplasjeje me një gomone më 2 gusht 2022.
Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzat ndaj 9 të pandehurve, përfshirë ish-shefin e Seksionit të Policimit në Komunitet në Elbasan, Arjan Tase, i akuzuar për “Vrasje me dashje” në mënyrë indirekte.